Një nga qëllimet kryesore të projektit “Zbatimi i Agjendës Evropiane për të Mësuarit gjatë gjithë Jetës tek të Rriturit në Maqedoninë e Veriut” është promovimi i dimensionit evropian të Arsimit të të Rriturve dhe mundësimi i transferimit të dijes dhe përvojave.

Më 24 qershor 2025, Qendra për Arsim të Rritur organizoi konferencën “Pakiti për Aftësi: Aleanca për Kompetencat e së Ardhmes” me qëllim promovimin e Paktit për Aftësi si një nga iniciativat kryesore të BE-së. Kjo konferencë shërbeu si një platformë për të prezantuar aktorët kyç kombëtarë, palët e interesit dhe partnerët socialë – si ofruesit e arsimit për të rritur, Qendrat Rajonale për Arsim Profesional, institucionet qeveritare, odat ekonomike, si dhe organizatat dhe kompanitë private të angazhuara në ri-kualifikim dhe ngritje të aftësive – me mjetet dhe resurset që ofron kjo iniciativë e BE-së.

Maja Avramovska, eksperte e zhvillimit të aftësive në BE, mbajti një prezantim të detajuar për Paktin për Aftësi, duke ofruar informacione gjithëpërfshirëse mbi iniciativën, duke përfshirë qëllimet, resurset, programet dhe rezultatet e pritshme.

Konferenca gjithashtu tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve përmes një paneli të gjallë dhe interesant, të moderuar nga Maja Avramovska, me dy të ftuara: Natasha Janevska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut dhe Maja Kolekeska nga ofruesi privat i arsimit për të rritur “C.E.S. Academy”. Diskutimi kishte për qëllim të paraqiste gjendjen aktuale të kërkesave të tregut të punës dhe furnizimit me aftësi, sfidat që lidhen me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, si dhe përvojat e pjesëmarrjes së C.E.S. Academy në Paktin për Aftësi.

Konferenca përfshiu edhe një aktivitet interaktiv në grup, të strukturuar si një World Café, gjatë të cilit pjesëmarrësit diskutuan pyetje të ndërlidhura me katër parimet kyçe të Paktit dhe zhvilluan ide për krijimin e sinergjive për pjesëmarrje aktive të aktorëve kombëtarë në këtë iniciativë.

Kjo konferencë përbënte një mundësi të shkëlqyer për ngritjen e vetëdijes së aktorëve kombëtarë në fushën e Arsimit të të Rriturve, Punësimit dhe Tregut të Punës lidhur me Paktin për Aftësi si iniciativë, si dhe për shkëmbim idesh dhe hartim zgjidhjesh për veprime të përbashkëta.

Financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura janë vetëm të autorit(ëve) dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Bashkimit Evropian ose të EACEA. As Bashkimi Evropian dhe as EACEA nuk mund të mbahen përgjegjës për to.