Një nga masat e projektit “Zbatimi i Agjendës Evropiane për të Mësuarit gjatë gjithë jetës tek të rriturit në Maqedoninë e Veriut”, i zbatuar nga Qendra për Arsim të të Rriturve si koordinator kombëtar për zbatimin e Agjendës Evropiane për të Mësuarit gjatë gjithë jetës, është forcimi i kapaciteteve të Qendrave Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim.

Duke qenë se këto institucione të sapoformuara kanë përgjegjësi në fushën e arsimit për të rritur, janë mbajtur takime për shkëmbim informacioni dhe përvojash profesionale me stafin e përfshirë në proceset e arsimit për të rritur dhe në validimin e të nxënit joformal dhe informal.

Me këtë qëllim, përfaqësuesit e Qendrës për Arsim të të Rriturve, gjatë periudhës nga nëntori 2024 deri në maj 2025, kryen vizita dhe mbajtën takime me përfaqësues të Qendrave Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim në Kumanovë, Veles, Tetovë, Ohër dhe Strumicë.

Gjatë këtyre takimeve, u prezantua në mënyrë të plotë fusha e përgjegjësive dhe rolit të Qendrës për Arsim të të Rriturve, me theks të veçantë mbi rolin, përgjegjësitë dhe obligimet e Qendrave Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim në dy segmente të arsimit për të rritur – Verifikimin e Programeve Speciale për Arsimin Joformal të të Rriturve dhe Validimin e të Nxënit joformal dhe përvojësor (informal).

Stafi i Qendrave Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim u njoh me procesin e verifikimit të programeve speciale për arsim për të rritur dhe kriteret e nevojshme që institucionet duhet të plotësojnë për të verifikuar programe të tilla. Vëmendje e veçantë iu kushtua procedurës për t’u bërë ofrues i shërbimeve të arsimit për të rritur. U prezantuan hapat dhe dokumentacioni i nevojshëm për fitimin e statusit të ofruesit të shërbimeve të arsimit për të rritur.

Një pjesë integrale e tematikës së takimeve ishte gjithashtu Validimi i të Nxënit Joformal dhe Përvojësor (Informal). Gjatë diskutimit për këtë temë, u theksuan të drejtat dhe përgjegjësitë e Qendrave Rajonale në këtë proces, si dhe fazat e zbatimit, struktura e stafit, kushtet për inicim dhe sigurimi i cilësisë.

Këto takime mundësuan shkëmbim konstruktiv informacioni, diskutim profesional dhe ishin një mundësi e jashtëzakonshme për rrjetëzim. Mund të konkludohet se një komunikim dhe shkëmbim i tillë me Qendrat Rajonale është i domosdoshëm, pasi ka një nevojë të qartë për shpërndarje informacioni, shkëmbim, bashkëpunim dhe koordinim. Pjesëmarrësit patën mundësi të ndajnë mendimet, sfidat dhe idetë e tyre, duke shprehur interes të lartë për bashkëpunim të ardhshëm.

Përfundimi kryesor nga kjo masë është se Qendrat Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim luajnë një rol kyç në zhvillimin e aftësive dhe kompetencave të popullatës së rritur, dhe se ekziston nevoja për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të tyre përmes trajnimeve dhe koordinimit më efektiv. U theksua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme institucionale nga Qendra për Arsim të Rritur, si dhe nevoja për një strategji të qartë për të siguruar cilësinë në të gjitha fazat e proceseve që lidhen me Verifikimin e programeve speciale për Arsim të Rritur dhe Validimin e të nxënit joformal dhe përvojësor (informal).

Financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura janë vetëm të autorit(ëve) dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Bashkimit Evropian apo EACEA. As Bashkimi Evropian dhe as EACEA nuk mund të mbahen përgjegjës për to.