Një nga aktivitetet qendrore në kuadër të projektit “Implementimi i Agjendës Evropiane për Mësimin e të Rriturve në Maqedoninë e Veriut”, i cili zbatohet nga Qendra për arsimin e të rriturve, si koordinator nacional për zbatimin e Agjendës evropiane për arsimin e të rriturve, është zhvillimi i Strategjisë së re për arsimin e të rriturve 2025 – 2030.
Më 10 prill 2025, në Institucionin Kombëtar Muzeu i Luftës së Maqedonisë për Pavarësi, versioni përfundimtar i këtij dokumenti të rëndësishëm strategjik u prezantua para një numri të madh pjesëmarrësish – përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme aktive në fushën e arsimit të të rriturve.
Veprimtaria u hap me fjalimin e Prof. Dr. Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa prezantime mbajtën edhe z. Sadudin Sadiki, drejtor i IP Qendrës për Arsimin e të Rriturve dhe prof. Kiril Barbareev, kryetar i Këshillit për arsimin e të rriturve. Me këtë rast, z. Konstantin Hristovski, si koordinator i projektit, para të pranishmëve prezantoi shkurtimisht projektin në kuadër të të cilit është zhvilluar Strategjia.
Fokusi i këtij aktiviteti ishte pjesëmarrja online e znj. Ani Kartunen, eksperte e BE-së nga Finlanda, e cila bëri një prezantim të detajuar të Strategjisë, duke iu referuar procesit të bashkëpunimit me aktorët përkatës në nivel kombëtar, gjetjeve kryesore, objektivave dhe treguesve të këtij dokumenti të rëndësishëm.
Objektivat kryesore të planit të veprimit që rezultojnë nga Strategjia janë:
– Rritja e pjesëmarrjes dhe përfshirjes së të rriturve në mësimin gjatë gjithë jetës
– Hapja e aksesit në arsim përmes zgjidhjeve gjeografike dhe dixhitale
– Forcimi i trajnimit për punësim dhe të mësuarit sipërmarrës
– Zhvillimi i një kuadri gjithëpërfshirës për Validimin e arsimit joformal dhe të të nxënit joformal (përvojë).
– Rritja e mbështetjes financiare për arsimin e të rriturve
– Inkurajimi i inovacionit dhe transformimit dixhital
– Zhvillimi profesional i punonjësve të arsimit të të rriturve
– Forcimi i monitorimit
– Thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar
Strategjia e re për Arsimin e të Rriturve 2025-2030 do të kontribuojë në përcaktimin strategjik afatmesëm të politikave, duke synuar rritjen e pjesëmarrjes së të rriturve në arsimin e të rriturve dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës, duke përmirësuar kushtet dhe duke krijuar një mjedis mësimi, në përputhje me prioritetet gjithëpërfshirëse kombëtare në arsim, si dhe me tendencat evropiane.